Tetova, Kumanova, Manastiri dhe Shkupi në listën e qyteteve më të ndotura në botë

Shkup, 6 mars – Tetova, Kumanova, Manastiri dhe Shkupi u gjenden në listën e qyteteve më të ndotura për vitin 2018, sipas analizës së përpiluar nga organizatat joqeveritare ndërkombëtare ekologjike “Grinpis” dhe “Aj Kju Ear Vizhuell”, grup me seli në Zvicër që globalisht e ndjek ndotjen e ajrit. Në listën e 3000 qyteteve, nga qytetet e Maqedonisë Veriore, Tetova renditet në vendin më të lartë 169-të, Kumanova në 261-të, Manastiri në 280-të dhe Shkupi në vendin 315-të. Nga rajoni qytet më i ndotur është potencuar Zhivinca në Bosnjë e Hercegovinë, e cila gjendet në pozitën 102-të, ndërsa i bëjnë shoqërim edhe tri qytete të Bosnjës: Graçanica në vendin e 137-të, Sarajeva në 240-të dhe Tuzlla në vendin 289-të. Në mesin e 500 qyteteve më të ndotura nga Ballkani Perëndimor në listë sipas ndotjes së ajrit janë edhe Prishtina në vendin e 373-të dhe Sofja e cila është në vendin e 422-të.

Në nivelin botëror qyteti më i ndotur është Nju Delhi – kryeqendra 20-milionëshe e Indisë, ndërsa e ndjekin pas kryeqytetet e Bangladeshit, Dakës dhe Kabulit në Afganistan. Pekingu është i teti në listë. Nga metropolet botërore Londra gjendet në vendin e 48-të, ndërsa Uashingtoni në vendin e 56-të. Sipas analizave, prej gjithsej 30 qyteteve më të ndotura në botë, në Indi gjenden 22. Matjet e “Grinpis” dhe “Aj Kju Ear Vizhell” kanë treguar se 64 për qind prej 3.000 qyteteve në listë i tejkalojnë limitet e rekomanduara të Organizatës Botërore Shëndetësore për ekspozim të grimcave PM 2,5 në nivel vjetor, që lidhen me një numër të madh problemesh shëndetësore tek njerëzit.

Raporti për ndotjen e ajrit në botë për vitin 2018 bazohet në të dhënat publike nga realizimi i  monitorimit siç janë rrjetet qeveritare për monitorim të konfirmuara me matjet e realizuara nga stacionet matëse të “Ear Vizhell” me të cilat operojnë persona privatë ose organizata. OBSH-ja vlerëson se globalisht shtatë milionë njerëz në vjet para kohe vdesin si pasojë e ekspozimit të ndotjes së ajrit, ndërsa Banka Botërore ka llogaritur se çdo vit konsiderohet si humbje e ekonomisë botërore në orët e punës për 225 miliardë dollarë. (Q.A)