OBSH: Ndotja e ajrit merr thuajse një vit të jetës mesatare të një evropiani

Nëntë prej dhjetë njerëzve në mbarë botën për çdo ditë thithin ajër të ndotur, tregojnë të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH). Kjo do të thotë se 91 për qind e popullatës në botë jeton në vende ku cilësia e ajrit është nën kufijtë e së lejuarës. Konsiderohet se ndotja e ajrit shkakton drejtpërdrejt vdekjen e rreth shtatë milionë njerëzve në vit, kryesisht në Azi dhe Afrikë.

Sipas OBSH-së, 25 për qind e sëmundjeve të zemrës, 24 për qind e sulmeve në tru dhe 43 për qind e sëmundjeve të mushkërive dhe kancerit në mushkëri mund t’i “përshkruhen ndotjes së ajrit”.

Qytetet në Indi dhe Kinë janë fajtorët më të mëdhenj, por edhe evropianët janë të prekur nga ky fenomen.
Sipas Agjencisë Evropiane për Mjedis Jetësor (EEA), ndotja e ajrit në këtë moment është përgjegjëse për thuajse 500.000 raste të parakohshme të vdekjes në Evropë, çdo vit.

Ekspozimi ndaj grimcave PM e uli kohëzgjatjen e pritur të jetës së secilit njeri të kontinentit në mesatare për thuajse një vit, kryesisht për shkak të rrezikut të rritur nga sëmundjet kardiovaskulare dhe atë të frymëmarrjes, si dhe kancerit të mushkërive, bën të ditur OBSH-ja.

Kjo organizatë, gjithashtu, njoftoi se nëse ndotja e ajrit në qytetet evropiane ulet nën nivelin e rekomanduar për cilësi të ajrit, njerëzit do të jetojnë më gjatë – në disa raste për thuajse dy vite. Gjeografia, gjithashtu, paraqet faktor – mënjanimi i ndotjes së ajrit në Bukuresht, Rumani do t’u shtojë 22 muaj jetë banorëve, derisa në Londër, Britani të Madhe, kjo shifër do të ishte 2,5 muaj.
Rreth 40 milionë njerëz në 115 qytetet më të mëdha në Bashkimin Evropian (BE) janë të ekspozuar ndaj ajrit që i tejkalon vlerat e lejuara për cilësi të ajrit të OBSH-së për së paku një ndotës.
Fëmijët, një ndër më të rrezikuarit, të cilët jetojnë në afërsi të rrugëve me komunikacion të dendur përballen me probleme dyfish më të mëdha të frymëmarrje. Në mënyrë plotësuese, ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit gjatë shtatzënisë ndërlidhet me peshë të ulët të bebes dhe lindje të parakohshme.
Xhonatan Grig, profesor i mjekësisë së pediatrisë respiratore dhe ekologjike të Universitetit “Kuin Meri” në Londër, deklaroi për Euronjuzin se ndotja e ajrit me siguri do të përkeqësojë gjendjen e personave tashmë të rrezikuar.
„Ndotja e ajrit, me siguri, do ta përshpejtojë uljen e funksionimit të mushkërive te njerëzit të cilët tashmë kanë probleme me organet e frymëmarrjes, veçanërisht te fëmijët”, tha Grig. “Ne në Britani të Madhe, vlerësojmë se ndotja e ajrit shpie në 20.000-40.000 raste të vdekjeve të parakohshme në vit”.
Fondacioni Evropian i Mushkërive (ELF) njofton se ndotja e ajrit mund të jetë po aq e rrezikshme sa edhe pirja e duhanit, dhe se jetesa pranë rrugës së frekuentuar të komunikacionit sjellë rrezik si edhe pirja pasive e 10 cigareve në ditë.
Ata që mendojnë se nëse nuk dalin jashtë do ta zbusin rrezikun nga ndotja e ajrit, le të mendohen sërish.
Derisa 4,2 milionë raste të vdekjes në vit në botë janë rezultat i ekspozimit ndaj ajrit të jashtëm, thuajse 3,8 milionë raste të vdekjes në vit janë shkaktuar nga ekspozimi në amvisëri ndaj tymit nga shporetet dhe drutë për djegie. OBSH-ja njoftoi se më shumë se tre miliardë njerëz në mbarë botën për çdo ditë thithin ajër të ndotur në shtëpitë e tyre.
Megjithatë, Fondacioni Evropian i Mushkërive i inkurajon evropianët për të kryer aktivitete në hapësirë të hapur dhe pohon se përfitimet nga ushtrimi i tejkalojnë rreziqet nga ndotja e ajrit. EFL-ja, gjithashtu, bën të ditur se njerëzit mund ta ulin ekspozimin e tyre ndaj ndotjes së ajrit me përzgjedhjen e rrugëve dytësore, ushtrim në sipërfaqe të pastra dhe evitim të ushtrimit gjatë rrëmujës në komunikacion.
Cilat pjesë të Evropës janë më të ndotura?
Statistikat e OBSH-së treguan se Evropa Lindore, veçanërisht vendet ballkanike, konsideroheshin si rajoni më i ndotur në kontinent.
Industritë në fushat, siç janë xehetaria e thëngjillit ngjyrë kafeje, kontribuojë në rritjen e ndotjes së ajrit. Automjete joefikase, më të vjetra, të cilat ndotin shumë e intensifikojnë problemin me mjedisin jetësor për Evropën Lindore.
Republika e Maqedonisë së Veriut konsiderohet si një ndër shtetet më të ndotura me nivelin e grimcave PM10 në disa qytete që e tejkalojnë koncentrimin e rekomanduar. Zona më e ndotur urbane në gjithë Evropën ishte qyteti i Tetovës, në këtë vend ballkanik.
Shkupi, kryeqyteti, është vënë në listën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë si qyteti i dytë më i ndotur në Evropë me koncentrim më të madh të grimcave të dëmshme (2.5) në ajër. Grimcat PM 2,5 konsiderohen si vrasës i padukshëm, meqë janë aq të vogla saqë mund të kalojnë përmes “armorin” e trupit.
Në Bosnjë e Hercegovinë, gjithashtu, gjenden qytete që janë në majën e pjesës më të ndotur të Evropës, veçanërisht qyteti i Tuzllës.
Gjithashtu, Bullgaria, Rumania dhe Shqipëria kishin më shumë qytetet në 30 zonat e para më të ndotura në Evropë.
Në Poloni, ndotja e ajrit shkakton vdekjen e parakohshme të rreth 50.000 njerëzve çdo vit. Sipas OBSH-së, në këtë vend janë thuajse gjysma e 30 qyteteve më të ndotura në Evropë. Njëra prej arsyeve kryesore për betejën e Polonisë me ndotjen e ajrit është lidhja shumëvjeçare me thëngjillin.
Kohëzgjatja e pritur e jetës në Evropën Lindore është shumë më i vogël sesa te fqinjët perëndimorë.
Sipas Statistikës, kohëzgjatja e pritur e jetës te burrat në Evropën Lindore është 69 vjeç, thuajse 10 vite më pak sesa pleqëria mesatare te burrat në Perëndim – prej 79 vjeç.
Gratë në bllokun lindor jetojnë, mesatarisht, 78 vite, që është nën mesataren e vendeve të Evropës Perëndimore prej 84 viteve.
Profesori Grig deklaroi për Euronjuz se ky dallim në kohëzgjatjen e pritur të jetës mund të ndërlidhet me popullatën e rritur të duhanpirësve në Evropën Lindore.
Grig, i cili është gjithashtu kryetar i Kuvendit të shoqatave respiratore evropiane tha se tymi i cigares është materia më e keqe kimike që mund të hyjë në mushkëritë e bardha dhe mund t’i përshpejtojë efektet nga ndotja e ajrit me faktorin 10.
Italia konsiderohet si vendi më i ndotur në Evropën Perëndimore, sipas statistikës, me ç’rast Napoli, Torino, Roma dhe Milano – të gjitha janë në 30 qytetet e para më të ndotura.
Çfarë e ka shkaktuar ndotjen e ajrit dhe si mund ta zvogëlojmë?
Njëri prej elementeve kryesore të ndotjes së ajrit janë grimcat PM, të cilat janë kombinim i grimcave të ngurta dhe të lëngëta të lëshuara në ajër, me ç’rast shumica e tyre janë të rrezikshme. Kjo përzierje përfshin edhe grimca organike dhe joorganike, siç janë pluhuri, poleni, tymi dhe pikat e lëngëta. Mund të lëshohen drejtpërdrejt, për shembull kur digjet karburanti ose të formohen në mënyrë indirekte, si në rastet kur ndotësit e gaztë të lëshuar paraprakisht në ajër shndërrohen në grimca.
Për ta luftuar këtë, OBSH-ja i inkurajoi vendet që t’i rregullojnë emisionet e dëmshme dhe t’i ndalojnë automjetet që e ndotin ajrin. Për jetën e përditshme, OBSH-ja shprehet se njerëzit mund ta ulin ndotjen e ajrit me atë që nuk do të djegin mbeturinat, do t’i riciklojnë, ndërsa transporti me biçikletë të bëhet pjesë e rutinës së tyre të përditshme.