Ndotja nuk është problem vetëm i Shkupit dhe Tetovës

Qëllimi i fushatës “Mos injoro! Reago!” është të rritet presioni ndaj autoriteteve në gjetjen e zgjidhjeve për mjedisin jetësor, në të njëjtën kohë të nxitet edhe aktivizimi qytetarë

 

Destan JONUZI

Shkup, 6 mars – Edhe pse qytetarët gjithnjë e më shumë e kuptojnë rëndësinë e mjedisit jetësor, ndërsa institucionet i shohin çështjet ekologjike si aktuale, problemet e mjedisit jetësor nuk zgjidhen në mënyrë strategjike. Përderisa qytetarët kritikojnë dhe diskutojnë kryesisht në rrjetet sociale, institucionet nuk sjellin zgjidhje efikase për një mjedis të pastër jetësor dhe nuk janë transparente në krijimin dhe zbatimin e politikave ekologjike. Për këtë arsye, Instituti për Studime të Komunikimit ka filluar fushatën me interes publik për një mjedis më të pastër jetësor “Mos injoro! Reago!”. Me këtë fushatë do të rritet presioni ndaj autoriteteve për zgjidhje më efikase të problemeve nga mjedisi jetësor dhe institucionet lokale. Nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme, do të prezantohen problemet me të cilat po ballafaqohet komuniteti, do të drejtohen problemet drejt institucioneve përkatëse dhe do të inicohen zgjidhje për një mjedis më të pastër dhe jetë më të shëndetshme.

“Të gjithë meritojmë që të jetojmë jetë në një ambient më të pastër jetësor. Por, që ta arrijmë këtë, duhet që të flasim dhe të jemi të dëgjuar. ‘Mos injoro! Reago!’ është platformë për çdo individ të prekur, na bashkon të gjithë ne, që zëri ynë të dëgjohet. I inkurajojmë të gjithë që janë të shqetësuar për mjedisin jetësor të na bashkangjiten në fushatë, ta ngrenë zërin e tyre dhe të marrin aksion për përmirësimin e kushteve në të cilat jetojmë. Institucionet publike duhet ta kenë të qartë se koha është për ndryshime. Kanë autorizim që të punojnë në drejtim të zgjidhjes së problemeve që na tangojnë të gjithëve dhe nuk kanë arsyetime”, thotë Dejan Andonov, koordinator i fushatës “Mos injoro! Reago!”.

Fushata “Mos injoro! Reago!” do të realizohet gjatë vitit 2019 dhe do të jetë e ndarë në tri shtylla: qytete të qëndrueshme, mjedis i shëndetshëm dhe ndryshime klimatike. Aktivitetet do të realizohen në bashkëpunim me fakultete, shkolla të mesme, organizata civile, iniciativa qytetare, ekspert nga fusha të ndryshme, kreator të mendimit publik dhe media. Profesoresha për urbanizëm Divna Pençiq, e cila është pjesë e grupit të ekspertëve në fushatë, vlerëson se planifikimi urbanistik në shtet është problematik, duke pasur parasysh gjendjen e tanishme kaotike nëpër qytete. “Qytetet patjetër duhet të shikohen si tërësi, sipas principit të qyteteve të qëndrueshme të Kombeve të Bashkuara në Agjendën 2030. Qytetet patjetër duhet që të planifikohen në mënyrë vizionare dhe strategjike dhe në krijimin e politikave për zhvillimin e tyre patjetër se duhet të kyçen edhe qytetarët. Nuk është me rëndësi se ku do të ndërtohen, por si njerëzit do të funksionojnë dhe do ta shfrytëzojnë hapësirën”, thekson profesoresha Pençiq.

Nga ana tjetër, profesori Dejan Mirakovski, ekspert i fushës së ndotjes së ajrit, thotë se në kushte të dendësisë së madhe të popullsisë, infrastrukturës së pa zhvilluar (ujë të ndotur, tubacionet e gazit…) dhe mekanizmat e pamjaftueshëm të kontrollit, grimcat – PM10 dhe PM2.5 po rriten në mënyrë dramatike.

“Ndotja e ajrit nuk është problem vetëm se i Shkupit dhe Tetovës, këtu janë edhe Strumica, Prilepi, Kavadari, thuajse e gjitha lugina e Maqedonisë. Definitivisht, pa një qasje komplekse të zgjidhjes së problemit, masa të shpejta dhe specifike të institucioneve, por edhe një angazhim të përbashkët të të gjithë nesh, nuk do mund të largohemi nga lista e top shteteve me qytetet më të ndotura në botë”, tha Mirakovski. Ekspertja për menaxhimin e energjisë, Ana M. Llazarevska, sugjeron që edhe resurset energjetike të planifikohen në mënyrë strategjike dhe të shfrytëzohen në mënyrë optimale, me qëllim që të zvogëlohet niveli i ndotjes së ajrit dhe të përmirësohet gjendja me mjedisin jetësor.

Nuk këtë fushatë është e kyçur edhe gazeta KOHA dhe 12 media tjera (televizione, radio, media online, gazeta). Në këtë mënyrë, do të informohen qytetarët për të drejtat e tyre dhe ku mund të ankohen, por edhe do të aktivizohen që të ndikojnë mbi autoritetet që të gjenden zgjidhje dhe të jenë të gatshëm në zbatimin e politikave.