Ndotja e ajrit, miratohet plani për vitin 2019

Ndotja e lartë e ajrit në vend ka shtyrë Qeverinë të miratoj një plan të ri për ajër të pastër. Sfidat kundër ndotjes për këtë vit, sipas programit të tyre, do të jenë në ballafaqimin me shkaqet e ndotjes, ngritjen e vetëdijes publike dhe ndryshimet në sistemin energjetik. Zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshkanjkovski tha se për këtë qëllim janë ndarë 2 milion euro, me të cilat është paraparë që cilësia e ajrit 2 vitet e ardhshme të përmirësohet për 50%.
Nga Qeveria theksojnw se gjendja alarmante nga ndotja e ajrit do të aktivizojë masat kundër ndotjes nëse dy ditë me radhë niveli i PM grimcave do të kaloj pragun prej 200 mg/m3. Nga Shoqatat ekologjike thonë se këto masa për ajër të pastër duhet të zbatohen menjëherë.
Sipas planit për veprimin e uljes së ndotjes së ajrit për këtë vit, janë përfshirë edhe nismat e tri organizatave qytetare, të cilat kanë të bëjnë me krijimin e një Ueb-faqe të veçantë, ku do të paraqiten masat që duhet t’i zbatojnë institucionet shëndetësore dhe të instalimit të filtrave në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, tek ato që merren me veprimtarinë e drurit.