Lëvizja Eco Guerilla akuzon Qeverinë e Maqedonisë për ndotje të Tetovës

Tetovë, 23 janar – Lëvizja Eco Guerilla nga Tetova ka reaguar përmes një komunikate për opinionin “për joseriozitetin” e Qeverisë së Maqedonisë, e cila dje paraqiti planin strategjik për zhvillimin e infrastukturës rrugore, me të cilin anashkalohet Tetova.
Segmentet rrugore me frekuencë më të madhe qarkullimi në Maqedoni janë Tetovë-Gostivar (rreth 12.000 automjete në ditë) dhe Tetovë-Shkup (rreth 11.000 automjete në ditë). Për të qarkulluar prej këtyre dy segmenteve në rrugën Tetovë-Jazhincë (që ka qarkullim rreth 8.000 automjete në ditë) duhet të hyhet brenda qytetit të Tetovës. Me këtë shkaktohet ndotje dhe kaos i trafikut. Qeveria as në planin për vitin 2019, as në planin strategjik 2019-2030 nuk ka paraparë ndërtimin e qarkores për të lidhur këto rrugë, thekson kjo Lëvizje.
Kërkojmë urgjentisht nga Qeveria të rishikojë planin dhe të ndërtojë qarkoren që do ndikojë dukshëm në ndotjen e ajrit në Tetovë, thuhet në reagim.