Deponia e Sveti Nikollës, as në tokë, as në qiell

Për dallim nga tetë rajonet tjera në Maqedoninë e Veriut, ndërtimi i deponisë rajonale në pjesën Verilindore dhe Lindore është një fazë më të avancuar. Përmes IPA-Fondeve janë siguruar rreth 36 milionë euro. Por, pavarësisht se është menduar se deri më tani janë tejkaluar problemet komunale, iniciativa e fundit e VMRO-së krijon vështirësi shtesë për fillimin e ndërtimit të kësaj deponie

 

Omer XHAFERI

Shkup, 21 mars – Ndërtimi i deponisë rajonale në Sveti Nikolle, ku pritet të përfundojnë mbeturinat e 18 komunave, përfshi dhe atë të Likovës, përsëri u kthye në fokus të zhvillimeve në rajonin Verilindor të Maqedonisë së Veriut. Grupi i këshilltarë të VMRO-DPMNE-së, së fundmi deri te Këshilli i Komunës së Sveti Nikollës, dorëzoi iniciativë për mbajtjen e një referendumi lokal për ndalimin e ndërtimit të kësaj deponie. Megjithatë i njëjti të mërkurën (20 mars) nuk i fitoi votat e mjaftueshme në Këshillin komunal dhe u refuzua.
Kryetarit i këtij Këshilli, Kire Alleksov, për gazetën KOHA, shprehet se është absurde të kërkohet mbajtja e referendumit kundër deponisë rajonale, në kohën kur komunat ligjërisht nuk kanë mundësi të shpallin furnizime publike, pasi që zgjedhjet presidenciale vetëm se janë caktuar.

“Iniciativa për referendum nuk u pranua. Nuk e kemi të qartë pse Këshilltarët e VMRO-së dalin kundër kësaj deponie rajonale, kur po të njëjtit gjatë mandatit 2013-2017 e kanë mbështetur ndërtimin e një deponie të tillë. Përpos disa reagimeve nëpër mediat sociale, dhe peticionet online, asnjë reagim tjetër nga qytetarët nuk ka”, tha Alleksov.
Nga ana tjetër në arsyetimin e kërkesës për referendum nga VMRO, janë shprehur se rreth 80 për qind e banorëve të Sveti Nikolles janë kundër ndërtimit të deponisë rajonale. Njëherit sektori civil dhe shoqatat ekologjike, si ajo e “Go Green”, duke e komentuar problemin me mbeturinat dhe mosndërtimin e deponimeve rajonale, shprehen se qytetarët në të shumtën e rasteve nuk janë të informuar se për infrastrukture bëhet fjalë. Sipas tyre ndërtimi i deponive rajonale nuk nënkupton vende të rëndomta ku do të hidhen mbeturinat dhe kështu do të ndotet ambienti. Por, të njëjtat parashihet të ndërtohen sipas standardeve ndërkombëtare, nga të cilat do të ketë përfitime i gjithë rajoni, duke filluar nga riciklimi, punësimet dhe prodhimi i rrymës.
Për dallim nga tetë rajonet tjera në Maqedoninë e Veriut, ndërtimi i deponisë rajonale në pjesën Verilindore dhe Lindore është një fazë më të avancuar.

Përmes IPA-Fondeve janë siguruar rreth 36 milionë euro. Por, pavarësisht se është menduar se deri më tani janë tejkaluar problemet komunale, iniciativa e fundit e VMRO-së krijon vështirësi shtesë për fillimin e ndërtimit të kësaj deponie. Ndryshe, përveç qyteteve siç janë Shtipi dhe Sveti Nikolla, në deponinë rajonale në fshatin Meçkuevski, parashihet të dërgohen (riciklohen) mbeturinat edhe nga 16 komuna tjera, përfshi Kumanovën me rrethinë, Kriva Pallankën dhe qytezat dhe fshatrat tjera.
Sipas të dhënave zyrtare të institucioneve shtetërore, në Maqedoninë e Veriut ekzistojnë 54 deponi të egra, gjegjësisht rreth 400 më të vogla. Mes tyre më problematike janë deponia e Tetovës, që paraqet problem për mbi 200 mijë banorë të këtij qyteti. Pastaj vazhdon ajo e Strugës, e cila edhe pse është rrethuar dhe rregulluar pak, vazhdon të ndizet dhe kështu ta ndotë ajrin. (koha.mk)