Anulohet terminët e caktuara në Spitalin e Kozles

Spitali i fëmijëve në Kozle, gjatë dy javëve të ardhshme nuk të pranoi asnjë kontroll për alergji, bronkit dhe sëmundje tjera të fëmijëve. Ky vendim i Spitalit të Kozles, vijon pas rekomandimeve të Komisionit për sëmundje ngjitëse, i cili në bazë të vendimit Ministrisë së Shëndetësisë, tha se fëmijët e sëmurë nga fruthi nuk duhet të hospitalizohen në Klinikën për sëmundje të fëmijëve, por në Klinikën për sëmundje infektive dhe Institutin për sëmundjen e mushkërive të fëmijëve në Kozle.

Drejtori i këtij Instituti, doktori Angellço Andonovski, tha se pas rekomandimeve të fundit nga Komisionit në fjalë, ata kanë ndarë një repart për hospitalizimin e fëmijëve të prekur nga fruthi, respektivisht pacientët të cilët paraprakisht kanë caktuar termin janë paralajmëruar se terminët e tyre prolongohen për dy javë.

“Do të pranohen vetëm rastet urgjente. Ne do të jemi në kontakt me prindërit e fëmijëve, terminët e të cilëve janë anuluar dhe do ti informojmë me kohë kur duhet të paraqiten përsëri. Për momentin nuk kemi fëmije të prekur nga fruthi, por jemi të përgatitur nëse vijnë. Tek ne do të hospitalizohen rastet më të lehta, gjegjësisht ata fëmijë që duhet ta pranojnë terapi përmes respiratorit do ti dërgojmë në Spitalin për sëmundje infektive”, tha doktori Andonovski.

Ndryshe, ai ka shtuar se janë ndërmarrë të gjitha masat për parandalimin e infeksioneve intra-hospitale dhe se janë bërë pastrime mekanike të të gjitha reparteve. Njëkohësisht, sipas tij janë ndërmarrë të gjitha masat për izolimin e fëmijëve të prekur nga fruthi, nga fëmijët tjerë.

Fruthi nuk do të kalojë ashtu thjeshtë, paralajmërojnë epidemiologët

Rastet e para e të infektuarve me fruthin janë paraqitur në dhjetor, e tash më në janar është shpallur epidemi. Çerdhet kanë mbyllur dyert për fëmijët e pa vaksinuar, transmeton koha.mk
Epidemiologët megjithatë për zgjerimin e kësaj sëmundje infektuese gishtin e kanë drejtuar kah prindërit, sepse ata janë përgjegjës për fatin e fëmijëve të tyre, dhe se fruthi do të vazhdojë derisa nuk vaksinohen ose imunizohen 90% e qytetarëve.
Në disa vitet e fundit në rajonin tonë çdo ditë e më shumë po zgjerohen fushata kundër vaksinimit, dhe shumë prindër refuzojnë t’i vaksinojnë fëmijët e tyre.

MSH: Një fëmijë trembëdhjetëmuajsh ka vdekur nga komplikimet e fruthit

Ministria e Shëndetësisë, kumtoi se mbrëmë në Klinikën për sëmundje të fëmijëve ka vdekur një fëmijë 13-muajsh nga rajoni i Tetovës nga komplikimet e shkaktuara nga fruthi, i cili nuk është vaksinuar më parë.
Ministria e Shëndetësisë në kumtesë shpreh keqardhje për vdekjen e fëmijës, si rezultat i komplikimeve nga fruthi, sëmundje që mund të parandalohet me vaksinim.
Nga Ministria apelojnë deri te të gjithë prindërit, më me përgjegjësi t’i kuptojnë rekomandimet për vaksinim me vaksinën MRP, e cila mbron nga kjo sëmundje e rëndësi serioze ngjitëse. Vaksina në entet shëndetësore aplikohet falas, ndërsa janë me cilësi të verifikuar.

Gjysma e të rinjve, analfabet

Në Maqedoni gjysma e nxënësve të përfshirë në arsimin fillor dhe të mesëm nuk kanë njohuri themelore. Arritjet e tyre kanë stagnuar ndërsa kjo bazohet sipas rezultateve të mara nga testimi PISA I zhvilluar nga viti 2000 deri në vitin 2015. Në bazë të këtyre të dhënave, UNICEF-i, OECD( Organizata ekonomike për zhvillim dhe bashkëpunim) dhe Ministria e Arsimit debatuan rreth një propozim projekti për të tejkaluar këto mangësi. Mes propozimeve që do të mund të bëheshin pjesë e Ligjit të ri për arsim fillor dhe të mesëm do të ishin reforma gjatë vlerësimit nacional, revidim të maturës shtetërore dhe zhvillim të sistemit profesional për zhvillim të mësimdhënësve. Gjithashtu, me këtë rast u tha se është e rëndësishme të vendosen qëllime për matje të përparimit ndërsa të gjitha planet e mira në letër duhet të kthehen në realitet.
“Nëse shohim rezultatet e testimeve ndërkombëtare do të shohim se rezultatet mesatare tek nxënësit kanë stagnuar gjatë dekadës së fundit. Ekziston një përqindje e madhe e nxënësve të cilët nuk zhvillojnë kompetencat bazë që u janë të nevojshme për sukses dhe përparim më tutje në jetë. Duhet të rikujtojmë nëse vallë profesioni i mësuesisë po vlerësohet dhe nëse po merr mbështetjen e duhur për të pasur mësues të trajnuar dhe të kualifikuar”, tha Hana Kiçen, OECD.
Gjithçka fillon në arsimin parashkollor sepse sipas shkencës kjo është periudha kur zhvillohet 80% e trurit. Mirëpo, kjo duhet të shoqërohet me arsim të barabartë dhe cilësor për çdo fëmijë -u shpreh Elspet Erikson, UNICEF.
“Më duhet të them, më duhet të pranojë se është më se e domosdoshme për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencë, është më se e domosdoshme për Qeverinë e Maqedonisë që të kemi raporte të këtilla, të kemi analiza të këtilla bazuara në fakte, bazuara në argumente dhe mbi bazën e këtyre raporteve ne dhe t’i ndërtojmë politikat tona me të vetmin qëllim që të kemi një sistem arsimor më kualitativ”, deklaroi Arbër Ademi, ministër i arsimit. (koha.mk)

Industria në Maqedoni, ndotësi më i lartë i ajrit

Zbatimi i buxhetit të Maqedonisë për trajtimin e ajrit të ndotur është joadekuat, respektivisht  sistemi nuk është i organizuar dhe koordinuar siç duhet. Ky është konstatimi i Organizatës europiane të institucioneve të larta të revizionit, të cilët në raportin e tyre për Kualitetin e ajrit, theksojnë se investimi për përmirësimin e kualitetit të ajrit nga buxheti i shtetit të Maqedonisë është i vogël dhe paraqet vetëm 0,1 për qind nga Bruto Prodhimi Vendor.

Raporti në fjalë është përgatitur nga një trup revizues ndërkombëtare,  i përbërë nga 15 institucione të lartë revizuese në Europë, ku mes tjerash bënë pjesë edhe Gjykata Europiane e revizorëve, të cilët e shqyrtojnë kualitetin e ajrit në Shqipëri, Bullgari, Estoni, Gjeorgji, Hungari, Izrael, Kosovë, Moldavi, Poloni, Rumani, Sllovaki, Spanjë, Zvicër, Maqedoni dhe Holandi.

Në pjesën e Maqedonisë, thuhet se industria është ndotësi më i lartë i ajrit, pas saj vijon ndotja e shkaktuar nga ngrohja e amvisërive dhe kompanive të vogla. Ndërkohë, në këtë raport automjetet janë të vlerësuar si ndotës mesatar, gjegjësisht mbeturinat, bujqësia dhe faktorët tjerë janë renditur në grupin e ndotësve të vogël të ajrit.

“Sistemi për menaxhim me të kualitetit të ajrit në Maqedoni nuk është i organizuar në mënyrë të mirëfilltë. Për këtë cështje është njotuar grupi i punës Ndër sektorial për kualitetin e jarit dhe Komisioni për shëndetin dhe mjedisin jetësor, me qëllim të përmirësimin të bashkëpunimit ndër sektorial mes institucioneve”, thuhet në Raport.

Ajri i ndotur, maska mbrojtëse për të sëmurit kronik do të sigurohen dimrin e ardhshëm!

Shkup, 30 janar – Maskat mbrojtëse të cilat disa herë janë paralajmëruar nga Ministria e shëndetësisë të personat me sëmundje kronike do të mund ti përdorin dimrin e ardhshëm, pasi që Ministria e Shëndetësisë tani (më 28 janar) e ka shpallur tenderin për blerjen e tyre, bënë të ditur Tv Telma, transmeton platforma investigative “Më afër”.
Duke marrë parasysh se bëhet fjalë për një sasi më të madhe dhe vlerë të furnizimit, ligji parasheh që procedura e tenderimit të zgjatë 45 ditë, dhe duke u bazuar në këtë ajo duhet të përfundon nga mesi i muajit mars kur edhe do të bëhet përzgjedhja e ofertës më të favorshme. Dhe më pas mund të bëhet shpërndarja e tyre, dhe për këtë personat me sëmundje kronike mund ti presin maskat mbrojtëse ka fillimi i muajit prill. Me këtë tender janë paraparë që të blihen 50 mijë maska mbrojtëse nga ndotja e ajrit për persona me sëmundje kronike.
Nga ana tjetër edhe Qeveria ka paralajmëruar masa kundër ndotjes së ajrit nëpërmjet programit për ajër të pastër, për të cilën ka ndarë nga buxheti 2 milion euro. Pjesa më e madhe e parave janë paraparë për subvencione për peleta dhe pastrues të ajrit nëpër shkolla. (Koha – Më afër)

Në Shkup ndotja e ajrit në nivel të lartë, masa tani për tani vetëm në Strumicë

Në Strumicë prej dje janë në fuqi rekomandimet dhe masat kundër ndotjes, sepse në dy ditët paraprake është tejkaluar pragu i alarmit të PM 10 grimca prej 200 mikrogramë në metër kub.
Ajri është i ndotur edhe në Shkup. Mbrëmë janë vërejtur përqendrime të grimcave PM 10 prej përafërsisht 400 mikrogramë. Në Qendër gjatë natës prej orës 22 përqendrimet kanë qenë mbi 300 duke arritur deri në 398 në orën 22 dhe 356 në orën 23. Pastaj kanë filluar të ulen, ndërsa në mëngjes në orën 08.00 janë matur 51 mikrogramë.
Përqendrime të larta me mbi 300 mikrogramë gjatë natës janë vërejtur edhe në stacionin matës te Rektorari prej mbi 200 mikrogramë në orën 16, derisa në orën 23 kanë arritur 375 mikrogramë në metër kub, ndërsa matja e fundit tregon 81 mikrogramë.
Në stacionin matës në Butel përqendrimi më i lartë është 233 mikrogramë, ndërsa në mëngjesin e sotëm janë 73 mikrogramë në metër kub.
Në Karposh janë regjistruar përqendrime prej 136 deri nl 187 mikrogramë në metër kub.
Që të aktivizohen masat në Shkup duhet të regjistrohen dytë radhazi përqendrime të mesme ditore mbi 188 mikrogramë në dy stacione matëse.
Dje përqendrimet e mesme ditore në Shkup kanë lëvizur prej 152 në Qendër, 170 në Karposh, te Rektorati 191, Milladinoc 156 dhe në Butel 125. Sot përqendrimet e mesme ditore në Shkup lëvizin prej 193 mirkogramë, Karposh 127, te Rektorari 211, Miladinoc 130, Butel 125 mikrogramë.
Mes masave që rekomandohen kur do të tejkalohet pragu i alarmimit, ndërsa të cilat sot janë fuqi në Strumicë janë lirimi nga obligimet ditore të grave shtatzëna, personat më të vjetër se 60 vjet, si dhe personat me astmë kronike, me rekomandim të mjekut amë. organizimi i vendit të punës në ambient të hapur prej orës 11 deri në orën 17.

Shkupi, qyteti me ajrin më të ndotur në botë

Me Indeks për kualitetin e ajrit 217, Shkupi sot në mëngjes ka qenë qyteti më i ndotur në botë. Të dhënat e publikuara në faqen “AirVisual” tregojnë se pas Shkupit gjenden qytetet Lahore e Pakistanit dhe Daka e Bangladeshit, transmeton gazeta Koha.
Sipas stacioneve matëse të Ministrisë së mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor, sot në mëngjes koncentrim të grimcave të dëmshme PM10 ka në komunën Karposh – 214 mg për një m3. Mbrëmë koncentrimet më të larta janë shënuar në Qendër 371 për m3, ose shtatë herë më lartë se e lejuara. Stacionet matëse Lisiçe dhe Gazi Babë ende nuk punojnë.

Ndotje serioze të ajrit ka edhe në Strumicë dhe Tetovë.

Mjek dhe punonjës shëndetësor të sëmurë nga fruthi

Nga fruthi janë prekur edhe katër mjek, një motër medicinale dhe një i punësuar në sportel në Klinikën për sëmundje të fëmijëve, informojnë nga Instituti për Shëndet Publik.
Të gjithë të prekurit nga fruthi janë nga Klinika për sëmundje të fëmijëve derisa një motër medicinale është nga Instituti për sëmundjen e mushkërive në Kozle dhe kanë pasur kontakte direke me fëmijë të sëmurë nga fruthi. Asnjëri nga këta nuk është hospitalizuar dhe për momentin gjenden në kurim shtëpiak.

Xhaferi të caktojë seancë për masat për ndotjen e ajrit, kërkon Komisioni për transport

Shkup, 24 janar – Kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi sa më shpejtë ta caktojë seancë, ku në rend dite si pikë janë vendosur konkludimet me rekomandime dhe masa për zvogëlimin e ndotjes së ajrit, të miratuara në debat publik në Komisionin për transport dhe lidhje në dhjetor të vitit të kaluar.
Konkludim të tillë të enjten njëzëri morën anëtarët e Komisionit për transport dhe lidhje, me iniciativë të deputetes së PDM-së, Liljana Popovska, e cila kërkoi përgjigje ku, si tha, “janë fundosur konkludimet e miratuara” dhe pse nuk u caktua seancë ku duhej të votohen dhe sipas tyre të veprohet, informon Koha.
“Kush i frenon ato masa kundër ndotjes që i miratuam me konsenzus? Të gjithë të pranishmit nga të gjitha partitë dhe deputetët e pavarur konkluduam se duhet të bëhen kontrolle serioze në të gjitha objektet industriale dhe ekonomike, të bëhet regjistrim i ndotësve, të bëhet kontroll i vendndërtimeve, revizion i planeve detajore urbanistike, të zbatohen dispozitat ligjore për gjelbërim të obliguar, të zgjidhen mbeturinat në të gjitha komunat, të përforcohen kontrollet inspektuese edhe në nivel shtetëror edhe në nivel lokal, dhe një sërë punë tjera. Konkludimet tona duhej të kthehen në seancë kuvendore, por nuk kishim seancë”, tha Popovska.
Këtë dimër, shtoi ajo, shihet se e kemi lëshuar, u ngulfatëm dhe jetojmë si në dhomë gazi.
“Të punojmë për luftë kundër ndotjes në janar që të mund të marrim frymë mirë në tetorin-nëntorin e ardhshëm, kur do të fillojnë mjegullat”, tha Popovska.
Kryetarja e Komisionit dhe deputete e VMRO-DPMNE-së, Liljana Zaturovska tha se raportet nga debati publik janë dërguar deri te kryetari i Kuvendit dhe të gjithë subjektet të cilët kanë marrë pjesë në debat dhe se një pjesë e tyre veçmë kanë dërguar mendim. Në pajtim me vendimin e sotëm të Komisionit, sërish do të dërgohet konkludim që të caktohet sa më shpejtë seancë.