Kjo është koha e shpërbërjes së mbeturinave në natyrë

Shkup, 23 mars – Hudhja e mbeturinave nëpër vendet publike është berë një shprehi në vendin tone, pasi ato vazhdojnë të mbeten një problem I madh aktual. Shkatërrimi I tyre nuk është I njejtë, eksiztojnë dhe kohëra të shpërbërjes së tyre si psh: Lëvozhga e mollës shpërbëhet brenda dy muajve, ajo e bananes një muaj, gazetat gjashtë javë, letrat e toaletit 4 javë, fije sintetike 500 vjet, shtof pambuku nga 8 deri më 10 vjet, shkrepëse 6 muaj, filter cigareje 1 vjet, çamçakëz 1 vjet, kanaqe alumini 10 vjet, kesë plastike nga 100 deri në 1000 vjet, shishe plastike gjithashtu nga 100 deri në 1000 vjet, çakmak 100 vjet, pamper pelenë 200 vjet, kartalë telefonike 1000 vjet, shishe qelqi asnjëherë, kuti kartoni 2 muaj, dhe tetrapak 3 muaj.
Ka dhe nga qytetarët të cilët mendojnë se nëse sot ndalen hudhjet e mbeturinave pas 1000 vjetëve do të kemi natyrën e pastër.

Mbi 300 deponi ilegale dhe 1500 grumbuj plehrash fshati

Shkup, 21 mars – Në dhjetë ditët e fundit, në kuadër të aksionit për shpalljen e deponive dhe plehërishtave për trashëgimi autentike kulturore, Qendra për Arte Bashkëkohore (QAB) Shkup, vizitoi mbi 200 deponi në gjithë Maqedoninë. Sipas njohurive deri te të cilat ka ardhur Qendra, në territorin e vendit ka mbi 300 deponi ilegale dhe pothuajse gjashtë herë më shumë respektivisht mbi 1500 grumbuj plehrash fshati dhe plehërishte, shkruan gazeta KOHA.

Si rajone më të rrezikuara dhe më të pasura me deponi dhe plehërishte nga QAB i potencojnë rajonin e Pollogut, ndërsa pas tij vjen rajoni i Shkupit dhe Kumanovës. Deponitë më të bukura dhe më të zhvilluara që theksohen me diversitetin dhe pasurinë e tyre, njëkohësisht edhe më së miri e shkatërrojnë peizazhin i shënuan me tabelat e duhura, respektivisht i shpallën për trashëgimi kulturore kombëtare.

“Interesant është fakti se plehërishtja  më e mëdha  është e ngjatë për 30 km dhe gjendet në dy brigjet e Vardarit në drejtim të rrymës së Gostivarit dhe Jegunovcit ku praktikisht plehrat, mbetjet ndërtimore, mobiljet e vjetra dhe mbeturinat në mënyrë ciklike renditen gjatë 30 km ndërsa largësia më e madhe pa mbeturina në këtë terren është një kilometër. Në kuadër të këtij aksioni dedikuar për mbështetjen e iniciativave që luftojnë për parandalimin e plehrave dhe plehërishtave me bordo të duhura janë markuar 30 plehërishte dhe deponi në rajonin e Shkupit, Pollogut, Kërçovës, Ohrit, strugës dhe rajone të tjera në Maqedoni”, thonë nga Qendra.

Aksioni është pjesë e projektit “Komunitete krijuese e Qendrës Bashkëkohore Artistike – Shkup, e përkrahur nga Projekti i USAID-it për pjesëmarrje civile. (koha.mk)

1200 drunj në të gjithë Shkupin

Shkup, 21 mars – Ekipet e NP “Parqe dhe gjelbërime”, dje, në ditën e parë të pranverës në mënyrë simbolike mbollën dhjetë fidane dekoruese nga llojet “thuja rosenthali” dhe “acer” dhe 1200 lule të llojit viola – manushaqe në oborrin e SHF “Mirçe Acev” në Gjorçe Petrov, ku mori pjesë kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, kryetari i Komunës, Aleksandar Naumovski, drejtori i NP “Parqe dhe Gjelbërime”, Adrijan Muça dhe nxënës të kësaj shkolle fillore.

“Në vijim është rregullimi i rregullt pranveror i sipërfaqeve të gjelbra në qytet. Këtë pranverë është paraparë të mbillen mbi 1200 drunj shumëvjeçar me cilësi të lartë gjetherënëse dhe me gjelbërim të përjetshëm në të gjitha komunat e Shkupit. Jemi duke punuar në ripërtëritjen e gjelbërimeve nëpër bulevarde. Qyteti kësaj pranvere do të jetë më i pasur edhe për disa parqe të reja formimi i së cilave është në vijim”, tha Shilegov.

Këto ditë po punojmë në rregullimin e parkut të ri “Ibni Pajko”, pas ndërtesës së Filarmonisë, në rinovimin e zonave të gjelbra në Qendër dhe Karposh në Bulevardin “Aradhet partizane”, në parqet në Bulevardin Serbia në Aerodrom, në Bulevardin “Boris Trajkovski” në Kisella Vodë, në rrugën “Brigada e dytë maqedonase” në Çair, si dhe në parkun pranë konviktit studentor “Kuzman Josifovski Pitu”, kumtoi shërbimi për shtyp i Qytetit të Shkupit. Kryetari i Shkupit shtoi se gjelbërimi mbetet në krye të prioriteteve të Qytetit të Shkupit dhe se me kthimin e gjelbërimit në qytet përmirësohet mjedisi jetësor dhe cilësia e ajrit. (koha.mk)

Deponia e Sveti Nikollës, as në tokë, as në qiell

Për dallim nga tetë rajonet tjera në Maqedoninë e Veriut, ndërtimi i deponisë rajonale në pjesën Verilindore dhe Lindore është një fazë më të avancuar. Përmes IPA-Fondeve janë siguruar rreth 36 milionë euro. Por, pavarësisht se është menduar se deri më tani janë tejkaluar problemet komunale, iniciativa e fundit e VMRO-së krijon vështirësi shtesë për fillimin e ndërtimit të kësaj deponie

 

Omer XHAFERI

Shkup, 21 mars – Ndërtimi i deponisë rajonale në Sveti Nikolle, ku pritet të përfundojnë mbeturinat e 18 komunave, përfshi dhe atë të Likovës, përsëri u kthye në fokus të zhvillimeve në rajonin Verilindor të Maqedonisë së Veriut. Grupi i këshilltarë të VMRO-DPMNE-së, së fundmi deri te Këshilli i Komunës së Sveti Nikollës, dorëzoi iniciativë për mbajtjen e një referendumi lokal për ndalimin e ndërtimit të kësaj deponie. Megjithatë i njëjti të mërkurën (20 mars) nuk i fitoi votat e mjaftueshme në Këshillin komunal dhe u refuzua.
Kryetarit i këtij Këshilli, Kire Alleksov, për gazetën KOHA, shprehet se është absurde të kërkohet mbajtja e referendumit kundër deponisë rajonale, në kohën kur komunat ligjërisht nuk kanë mundësi të shpallin furnizime publike, pasi që zgjedhjet presidenciale vetëm se janë caktuar.

“Iniciativa për referendum nuk u pranua. Nuk e kemi të qartë pse Këshilltarët e VMRO-së dalin kundër kësaj deponie rajonale, kur po të njëjtit gjatë mandatit 2013-2017 e kanë mbështetur ndërtimin e një deponie të tillë. Përpos disa reagimeve nëpër mediat sociale, dhe peticionet online, asnjë reagim tjetër nga qytetarët nuk ka”, tha Alleksov.
Nga ana tjetër në arsyetimin e kërkesës për referendum nga VMRO, janë shprehur se rreth 80 për qind e banorëve të Sveti Nikolles janë kundër ndërtimit të deponisë rajonale. Njëherit sektori civil dhe shoqatat ekologjike, si ajo e “Go Green”, duke e komentuar problemin me mbeturinat dhe mosndërtimin e deponimeve rajonale, shprehen se qytetarët në të shumtën e rasteve nuk janë të informuar se për infrastrukture bëhet fjalë. Sipas tyre ndërtimi i deponive rajonale nuk nënkupton vende të rëndomta ku do të hidhen mbeturinat dhe kështu do të ndotet ambienti. Por, të njëjtat parashihet të ndërtohen sipas standardeve ndërkombëtare, nga të cilat do të ketë përfitime i gjithë rajoni, duke filluar nga riciklimi, punësimet dhe prodhimi i rrymës.
Për dallim nga tetë rajonet tjera në Maqedoninë e Veriut, ndërtimi i deponisë rajonale në pjesën Verilindore dhe Lindore është një fazë më të avancuar.

Përmes IPA-Fondeve janë siguruar rreth 36 milionë euro. Por, pavarësisht se është menduar se deri më tani janë tejkaluar problemet komunale, iniciativa e fundit e VMRO-së krijon vështirësi shtesë për fillimin e ndërtimit të kësaj deponie. Ndryshe, përveç qyteteve siç janë Shtipi dhe Sveti Nikolla, në deponinë rajonale në fshatin Meçkuevski, parashihet të dërgohen (riciklohen) mbeturinat edhe nga 16 komuna tjera, përfshi Kumanovën me rrethinë, Kriva Pallankën dhe qytezat dhe fshatrat tjera.
Sipas të dhënave zyrtare të institucioneve shtetërore, në Maqedoninë e Veriut ekzistojnë 54 deponi të egra, gjegjësisht rreth 400 më të vogla. Mes tyre më problematike janë deponia e Tetovës, që paraqet problem për mbi 200 mijë banorë të këtij qyteti. Pastaj vazhdon ajo e Strugës, e cila edhe pse është rrethuar dhe rregulluar pak, vazhdon të ndizet dhe kështu ta ndotë ajrin. (koha.mk)

 

Trajtime të vjetra që nga koha e Jugosllavisë

Me vlerësimin “keq” janë shënuar tentimet për parandalimin e vdekjeve të foshnjave, shkalla e mbijetesës të kancerit, fruthi, tensioni i gjakut, parandalimi i duhanit si dhe vdekjet nga aksidentet. ” Supozohet se disa metoda nga trajtimet e vjetra, të cilat ende janë në përdorim nga koha e Jugosllavisë, e vështirësojnë përmirësimin”, thuhet në raport

 

Delvina KËRLUKU

Shkup, 6 mars – Maqedonia e Veriut me 638 pikë gjendet në vendin e 25-të sipas Indeksit konsumator shëndetësor evropian (EHCI), që paraqet përpjekje për matje dhe radhitje të implementimit të mbrojtjes shëndetësore nga pikëpamja e konsumatorit ose pranuesit të shërbimit. Në raportin e fundit të “Juro helt konsjumer indeks” citohet se Maqedonia e Veriut në vitin 2014 ka qenë “Raketë e vitit”, kur e ndërmori vendin e 16-të me 700 pikë, që ishte kërcim për 11 vende, përkatësisht nga vendi 27 dhe 555 pikë në vitin 2013. Edhe në raportin e fundit potencohet se asnjë vend nuk ka arritur vetëm për një vit të përmirësohet për 11 pozita.

“Fusha ku Maqedonia e Veriut ende duhet të përparojë janë rezultatet nga trajtimi i vërtetë mjekësor. Nuk ka ilaç të shpejtë për këtë, madje edhe lidership shumë të shkëlqyer, me siguri do të nevojiten së paku pesë vjet që të ketë përparim të madh. Supozohet se disa metoda nga trajtimet e vjetra, të cilat ende janë në përdorim nga koha e Jugosllavisë, e vështirësojnë përmirësimin”, thuhet në raport. Vendi ka bërë hap të jashtëzakonshëm në caktimin elektronik të kontrolleve – nga korriku i vitit 2013, çdo mjek amë mund të caktojë kontroll te specialisti në vend në kohë reale, derisa pacienti ulet pranë mjekut dhe e cakton vetëm me disa klikime në kompjuter.

Me këtë në tërësi është eliminuar koha e pritjes, derisa pacienti është i gatshëm të udhëtojë në një distancë të shkurtër (nga pika në pikë në vend duhet të kalohen rreth 20 kilometra me atë që kryeqyteti Shkup gjendet përafërsisht në qendër). Në këtë mënyrë, Maqedonia e Veriut mori rezultate të larta për qasje, veçanërisht në kujdesin ambulator, por ende duhet të punohet kur është në pyetje kujdesi spitalor dhe diagnostika përparuese. Radhitja është bërë në tetë fusha me më shumë kritere. Vlerësimet janë “mirë”, “keq” dhe “neutral”. Me vlerësimin “keq” janë shënuar tentimet për parandalimin e vdekjeve të foshnjave, shkalla e mbijetesës të kancerit, fruthi, tensioni i gjakut, parandalimi i duhanit si dhe vdekjet nga aksidentet.

Shpeshtohen zjarret, policia me apel

Tetovë, 6 mars – Në atarin e fshatit Bogovinë të Tetovës, përgjatë rrugës për në fshatin Novosellë 2, të martën rreth orës 14 e 50 minuta, është përhapur zjarr, ku janë djegur rreth 2 hektarë hapësirë malore me drunj dushku. Me intervenim të zjarrfikësve të Tetovës, zjarri tërësisht është lokalizuar. Të martën rreth orës 14.00, është denoncuar zjarr përskaj rrugës rajonale Tetovë-Jazhincë, në atarin e fshatit Vratnicë. Janë djegur rreth 250 deri 300 metra katrorë kullosë e thatë.

Një zjarr i tillë, gjithashtu është denoncuar më datë 4 mars në ora 16 e 30 minuta, në atarin e fshatit Odër, ku zjarri ka përfshirë hapësirë prej rreth 500 metra katrorë. Të dyja zjarret pas një kohe të caktuar, janë shuar vetvetiu. Për shkak të shpeshtimit të zjarreve, nëpër pyje dhe fusha në rajonin më të gjerë të Pollogut, Sektori i punëve të brendshme Tetovë, përsëri apelon deri tek të gjithë individët të cilët punojnë ose lëvizin nëpër vende të hapura që të mos ndezin zjarre. Kjo, veçanërisht ka të bëjë me bujqit, të cilët në mënyrë intensive janë duke u përgatitur për të mbjellat pranverore, të cilët i pastrojnë dhe djegin mbetjet dhe kashtën nëpër fushat e tyre, kurse zjarri në mënyrë të pakontrolluar zgjerohet në mënyrë të shpejtë, gjegjësisht kur frynë erë. Këshillohen që të kenë kujdes maksimal, gjithashtu edhe ata të cilët punojnë në pyje, dhe alpinistët, për shkak se nevojitet vetëm një shkëndijë e vogël, që të ndizet bari i thatë apo hapësirat me vegjetacion.

Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë edhe një herë ju rikujton se shkaktimi i zjarreve në mënyrë të qëllimshme apo prej pakujdesisë së njeriut, paraqet vepër penale me të cilën janë paraparë dënime rigoroze ligjore, si dënime me para dhe me burg deri në 10 vjet, varësisht nga pasojat përfundimtare ekologjike ose pasojave tjera. (U.H)

Tetova, Kumanova, Manastiri dhe Shkupi në listën e qyteteve më të ndotura në botë

Shkup, 6 mars – Tetova, Kumanova, Manastiri dhe Shkupi u gjenden në listën e qyteteve më të ndotura për vitin 2018, sipas analizës së përpiluar nga organizatat joqeveritare ndërkombëtare ekologjike “Grinpis” dhe “Aj Kju Ear Vizhuell”, grup me seli në Zvicër që globalisht e ndjek ndotjen e ajrit. Në listën e 3000 qyteteve, nga qytetet e Maqedonisë Veriore, Tetova renditet në vendin më të lartë 169-të, Kumanova në 261-të, Manastiri në 280-të dhe Shkupi në vendin 315-të. Nga rajoni qytet më i ndotur është potencuar Zhivinca në Bosnjë e Hercegovinë, e cila gjendet në pozitën 102-të, ndërsa i bëjnë shoqërim edhe tri qytete të Bosnjës: Graçanica në vendin e 137-të, Sarajeva në 240-të dhe Tuzlla në vendin 289-të. Në mesin e 500 qyteteve më të ndotura nga Ballkani Perëndimor në listë sipas ndotjes së ajrit janë edhe Prishtina në vendin e 373-të dhe Sofja e cila është në vendin e 422-të.

Në nivelin botëror qyteti më i ndotur është Nju Delhi – kryeqendra 20-milionëshe e Indisë, ndërsa e ndjekin pas kryeqytetet e Bangladeshit, Dakës dhe Kabulit në Afganistan. Pekingu është i teti në listë. Nga metropolet botërore Londra gjendet në vendin e 48-të, ndërsa Uashingtoni në vendin e 56-të. Sipas analizave, prej gjithsej 30 qyteteve më të ndotura në botë, në Indi gjenden 22. Matjet e “Grinpis” dhe “Aj Kju Ear Vizhell” kanë treguar se 64 për qind prej 3.000 qyteteve në listë i tejkalojnë limitet e rekomanduara të Organizatës Botërore Shëndetësore për ekspozim të grimcave PM 2,5 në nivel vjetor, që lidhen me një numër të madh problemesh shëndetësore tek njerëzit.

Raporti për ndotjen e ajrit në botë për vitin 2018 bazohet në të dhënat publike nga realizimi i  monitorimit siç janë rrjetet qeveritare për monitorim të konfirmuara me matjet e realizuara nga stacionet matëse të “Ear Vizhell” me të cilat operojnë persona privatë ose organizata. OBSH-ja vlerëson se globalisht shtatë milionë njerëz në vjet para kohe vdesin si pasojë e ekspozimit të ndotjes së ajrit, ndërsa Banka Botërore ka llogaritur se çdo vit konsiderohet si humbje e ekonomisë botërore në orët e punës për 225 miliardë dollarë. (Q.A)

Ndotja nuk është problem vetëm i Shkupit dhe Tetovës

Qëllimi i fushatës “Mos injoro! Reago!” është të rritet presioni ndaj autoriteteve në gjetjen e zgjidhjeve për mjedisin jetësor, në të njëjtën kohë të nxitet edhe aktivizimi qytetarë

 

Destan JONUZI

Shkup, 6 mars – Edhe pse qytetarët gjithnjë e më shumë e kuptojnë rëndësinë e mjedisit jetësor, ndërsa institucionet i shohin çështjet ekologjike si aktuale, problemet e mjedisit jetësor nuk zgjidhen në mënyrë strategjike. Përderisa qytetarët kritikojnë dhe diskutojnë kryesisht në rrjetet sociale, institucionet nuk sjellin zgjidhje efikase për një mjedis të pastër jetësor dhe nuk janë transparente në krijimin dhe zbatimin e politikave ekologjike. Për këtë arsye, Instituti për Studime të Komunikimit ka filluar fushatën me interes publik për një mjedis më të pastër jetësor “Mos injoro! Reago!”. Me këtë fushatë do të rritet presioni ndaj autoriteteve për zgjidhje më efikase të problemeve nga mjedisi jetësor dhe institucionet lokale. Nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme, do të prezantohen problemet me të cilat po ballafaqohet komuniteti, do të drejtohen problemet drejt institucioneve përkatëse dhe do të inicohen zgjidhje për një mjedis më të pastër dhe jetë më të shëndetshme.

“Të gjithë meritojmë që të jetojmë jetë në një ambient më të pastër jetësor. Por, që ta arrijmë këtë, duhet që të flasim dhe të jemi të dëgjuar. ‘Mos injoro! Reago!’ është platformë për çdo individ të prekur, na bashkon të gjithë ne, që zëri ynë të dëgjohet. I inkurajojmë të gjithë që janë të shqetësuar për mjedisin jetësor të na bashkangjiten në fushatë, ta ngrenë zërin e tyre dhe të marrin aksion për përmirësimin e kushteve në të cilat jetojmë. Institucionet publike duhet ta kenë të qartë se koha është për ndryshime. Kanë autorizim që të punojnë në drejtim të zgjidhjes së problemeve që na tangojnë të gjithëve dhe nuk kanë arsyetime”, thotë Dejan Andonov, koordinator i fushatës “Mos injoro! Reago!”.

Fushata “Mos injoro! Reago!” do të realizohet gjatë vitit 2019 dhe do të jetë e ndarë në tri shtylla: qytete të qëndrueshme, mjedis i shëndetshëm dhe ndryshime klimatike. Aktivitetet do të realizohen në bashkëpunim me fakultete, shkolla të mesme, organizata civile, iniciativa qytetare, ekspert nga fusha të ndryshme, kreator të mendimit publik dhe media. Profesoresha për urbanizëm Divna Pençiq, e cila është pjesë e grupit të ekspertëve në fushatë, vlerëson se planifikimi urbanistik në shtet është problematik, duke pasur parasysh gjendjen e tanishme kaotike nëpër qytete. “Qytetet patjetër duhet të shikohen si tërësi, sipas principit të qyteteve të qëndrueshme të Kombeve të Bashkuara në Agjendën 2030. Qytetet patjetër duhet që të planifikohen në mënyrë vizionare dhe strategjike dhe në krijimin e politikave për zhvillimin e tyre patjetër se duhet të kyçen edhe qytetarët. Nuk është me rëndësi se ku do të ndërtohen, por si njerëzit do të funksionojnë dhe do ta shfrytëzojnë hapësirën”, thekson profesoresha Pençiq.

Nga ana tjetër, profesori Dejan Mirakovski, ekspert i fushës së ndotjes së ajrit, thotë se në kushte të dendësisë së madhe të popullsisë, infrastrukturës së pa zhvilluar (ujë të ndotur, tubacionet e gazit…) dhe mekanizmat e pamjaftueshëm të kontrollit, grimcat – PM10 dhe PM2.5 po rriten në mënyrë dramatike.

“Ndotja e ajrit nuk është problem vetëm se i Shkupit dhe Tetovës, këtu janë edhe Strumica, Prilepi, Kavadari, thuajse e gjitha lugina e Maqedonisë. Definitivisht, pa një qasje komplekse të zgjidhjes së problemit, masa të shpejta dhe specifike të institucioneve, por edhe një angazhim të përbashkët të të gjithë nesh, nuk do mund të largohemi nga lista e top shteteve me qytetet më të ndotura në botë”, tha Mirakovski. Ekspertja për menaxhimin e energjisë, Ana M. Llazarevska, sugjeron që edhe resurset energjetike të planifikohen në mënyrë strategjike dhe të shfrytëzohen në mënyrë optimale, me qëllim që të zvogëlohet niveli i ndotjes së ajrit dhe të përmirësohet gjendja me mjedisin jetësor.

Nuk këtë fushatë është e kyçur edhe gazeta KOHA dhe 12 media tjera (televizione, radio, media online, gazeta). Në këtë mënyrë, do të informohen qytetarët për të drejtat e tyre dhe ku mund të ankohen, por edhe do të aktivizohen që të ndikojnë mbi autoritetet që të gjenden zgjidhje dhe të jenë të gatshëm në zbatimin e politikave.

Njëmbëdhjetë pacientë të rinj me fruth, tre të hospitalizuar

Njëmbëdhjetë pacientë të rinj me fruth janë regjistruar mbrëmë, prej të cilëve tre janë hospitalizuar në Klinikën për Sëmundje Infektive, ndërsa tetë të tjerë janë kontrolluar në ambulancë dhe janë lëshuar në mjekim shtëpiak, informojnë nga ky institucion shëndetësor.
Midis të hospitalizuarve është një foshnjë nga Tetova e pa vaksinuar me bronkopneumoni, një 26-vjeçare nga Tetova e vaksinuar me një dozë dhe një 36-vjeçare nga Tetova pa të dhëna për statusin e vaksinimit me bronkopneumoni.
Në klinikë ka 26 pacientë me fruth ose komplikime prej të cilëve 10 janë të moshës së rritur, ndërsa 16 janë fëmijë.
“Nga tetë të sëmurë të kontrolluar në ambulancë dhe të lëshuar në mjekim shtëpiak, dy janë fëmijë të moshës një vit e gjysmë dhe 14 vjeç nga Shkupi, ndërsa një është një foshnjë pesëmuajshe nga Gjevgjelia, që janë të pavaksinuar. Të sëmurët e tjerë që janë kontrolluar në ambulancë dhe lëshuar në mjekim shtëpiak janë në moshën 21 deri 36 vjeçare dhe për pjesën më të madhe të tyre nuk ka të dhëna për statusin e tyre të vaksinimit”, potencojnë nga Klinika.

OBSH: Ndotja e ajrit merr thuajse një vit të jetës mesatare të një evropiani

Nëntë prej dhjetë njerëzve në mbarë botën për çdo ditë thithin ajër të ndotur, tregojnë të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH). Kjo do të thotë se 91 për qind e popullatës në botë jeton në vende ku cilësia e ajrit është nën kufijtë e së lejuarës. Konsiderohet se ndotja e ajrit shkakton drejtpërdrejt vdekjen e rreth shtatë milionë njerëzve në vit, kryesisht në Azi dhe Afrikë.

Sipas OBSH-së, 25 për qind e sëmundjeve të zemrës, 24 për qind e sulmeve në tru dhe 43 për qind e sëmundjeve të mushkërive dhe kancerit në mushkëri mund t’i “përshkruhen ndotjes së ajrit”.

Qytetet në Indi dhe Kinë janë fajtorët më të mëdhenj, por edhe evropianët janë të prekur nga ky fenomen.
Sipas Agjencisë Evropiane për Mjedis Jetësor (EEA), ndotja e ajrit në këtë moment është përgjegjëse për thuajse 500.000 raste të parakohshme të vdekjes në Evropë, çdo vit.

Ekspozimi ndaj grimcave PM e uli kohëzgjatjen e pritur të jetës së secilit njeri të kontinentit në mesatare për thuajse një vit, kryesisht për shkak të rrezikut të rritur nga sëmundjet kardiovaskulare dhe atë të frymëmarrjes, si dhe kancerit të mushkërive, bën të ditur OBSH-ja.

Kjo organizatë, gjithashtu, njoftoi se nëse ndotja e ajrit në qytetet evropiane ulet nën nivelin e rekomanduar për cilësi të ajrit, njerëzit do të jetojnë më gjatë – në disa raste për thuajse dy vite. Gjeografia, gjithashtu, paraqet faktor – mënjanimi i ndotjes së ajrit në Bukuresht, Rumani do t’u shtojë 22 muaj jetë banorëve, derisa në Londër, Britani të Madhe, kjo shifër do të ishte 2,5 muaj.
Rreth 40 milionë njerëz në 115 qytetet më të mëdha në Bashkimin Evropian (BE) janë të ekspozuar ndaj ajrit që i tejkalon vlerat e lejuara për cilësi të ajrit të OBSH-së për së paku një ndotës.
Fëmijët, një ndër më të rrezikuarit, të cilët jetojnë në afërsi të rrugëve me komunikacion të dendur përballen me probleme dyfish më të mëdha të frymëmarrje. Në mënyrë plotësuese, ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit gjatë shtatzënisë ndërlidhet me peshë të ulët të bebes dhe lindje të parakohshme.
Xhonatan Grig, profesor i mjekësisë së pediatrisë respiratore dhe ekologjike të Universitetit “Kuin Meri” në Londër, deklaroi për Euronjuzin se ndotja e ajrit me siguri do të përkeqësojë gjendjen e personave tashmë të rrezikuar.
„Ndotja e ajrit, me siguri, do ta përshpejtojë uljen e funksionimit të mushkërive te njerëzit të cilët tashmë kanë probleme me organet e frymëmarrjes, veçanërisht te fëmijët”, tha Grig. “Ne në Britani të Madhe, vlerësojmë se ndotja e ajrit shpie në 20.000-40.000 raste të vdekjeve të parakohshme në vit”.
Fondacioni Evropian i Mushkërive (ELF) njofton se ndotja e ajrit mund të jetë po aq e rrezikshme sa edhe pirja e duhanit, dhe se jetesa pranë rrugës së frekuentuar të komunikacionit sjellë rrezik si edhe pirja pasive e 10 cigareve në ditë.
Ata që mendojnë se nëse nuk dalin jashtë do ta zbusin rrezikun nga ndotja e ajrit, le të mendohen sërish.
Derisa 4,2 milionë raste të vdekjes në vit në botë janë rezultat i ekspozimit ndaj ajrit të jashtëm, thuajse 3,8 milionë raste të vdekjes në vit janë shkaktuar nga ekspozimi në amvisëri ndaj tymit nga shporetet dhe drutë për djegie. OBSH-ja njoftoi se më shumë se tre miliardë njerëz në mbarë botën për çdo ditë thithin ajër të ndotur në shtëpitë e tyre.
Megjithatë, Fondacioni Evropian i Mushkërive i inkurajon evropianët për të kryer aktivitete në hapësirë të hapur dhe pohon se përfitimet nga ushtrimi i tejkalojnë rreziqet nga ndotja e ajrit. EFL-ja, gjithashtu, bën të ditur se njerëzit mund ta ulin ekspozimin e tyre ndaj ndotjes së ajrit me përzgjedhjen e rrugëve dytësore, ushtrim në sipërfaqe të pastra dhe evitim të ushtrimit gjatë rrëmujës në komunikacion.
Cilat pjesë të Evropës janë më të ndotura?
Statistikat e OBSH-së treguan se Evropa Lindore, veçanërisht vendet ballkanike, konsideroheshin si rajoni më i ndotur në kontinent.
Industritë në fushat, siç janë xehetaria e thëngjillit ngjyrë kafeje, kontribuojë në rritjen e ndotjes së ajrit. Automjete joefikase, më të vjetra, të cilat ndotin shumë e intensifikojnë problemin me mjedisin jetësor për Evropën Lindore.
Republika e Maqedonisë së Veriut konsiderohet si një ndër shtetet më të ndotura me nivelin e grimcave PM10 në disa qytete që e tejkalojnë koncentrimin e rekomanduar. Zona më e ndotur urbane në gjithë Evropën ishte qyteti i Tetovës, në këtë vend ballkanik.
Shkupi, kryeqyteti, është vënë në listën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë si qyteti i dytë më i ndotur në Evropë me koncentrim më të madh të grimcave të dëmshme (2.5) në ajër. Grimcat PM 2,5 konsiderohen si vrasës i padukshëm, meqë janë aq të vogla saqë mund të kalojnë përmes “armorin” e trupit.
Në Bosnjë e Hercegovinë, gjithashtu, gjenden qytete që janë në majën e pjesës më të ndotur të Evropës, veçanërisht qyteti i Tuzllës.
Gjithashtu, Bullgaria, Rumania dhe Shqipëria kishin më shumë qytetet në 30 zonat e para më të ndotura në Evropë.
Në Poloni, ndotja e ajrit shkakton vdekjen e parakohshme të rreth 50.000 njerëzve çdo vit. Sipas OBSH-së, në këtë vend janë thuajse gjysma e 30 qyteteve më të ndotura në Evropë. Njëra prej arsyeve kryesore për betejën e Polonisë me ndotjen e ajrit është lidhja shumëvjeçare me thëngjillin.
Kohëzgjatja e pritur e jetës në Evropën Lindore është shumë më i vogël sesa te fqinjët perëndimorë.
Sipas Statistikës, kohëzgjatja e pritur e jetës te burrat në Evropën Lindore është 69 vjeç, thuajse 10 vite më pak sesa pleqëria mesatare te burrat në Perëndim – prej 79 vjeç.
Gratë në bllokun lindor jetojnë, mesatarisht, 78 vite, që është nën mesataren e vendeve të Evropës Perëndimore prej 84 viteve.
Profesori Grig deklaroi për Euronjuz se ky dallim në kohëzgjatjen e pritur të jetës mund të ndërlidhet me popullatën e rritur të duhanpirësve në Evropën Lindore.
Grig, i cili është gjithashtu kryetar i Kuvendit të shoqatave respiratore evropiane tha se tymi i cigares është materia më e keqe kimike që mund të hyjë në mushkëritë e bardha dhe mund t’i përshpejtojë efektet nga ndotja e ajrit me faktorin 10.
Italia konsiderohet si vendi më i ndotur në Evropën Perëndimore, sipas statistikës, me ç’rast Napoli, Torino, Roma dhe Milano – të gjitha janë në 30 qytetet e para më të ndotura.
Çfarë e ka shkaktuar ndotjen e ajrit dhe si mund ta zvogëlojmë?
Njëri prej elementeve kryesore të ndotjes së ajrit janë grimcat PM, të cilat janë kombinim i grimcave të ngurta dhe të lëngëta të lëshuara në ajër, me ç’rast shumica e tyre janë të rrezikshme. Kjo përzierje përfshin edhe grimca organike dhe joorganike, siç janë pluhuri, poleni, tymi dhe pikat e lëngëta. Mund të lëshohen drejtpërdrejt, për shembull kur digjet karburanti ose të formohen në mënyrë indirekte, si në rastet kur ndotësit e gaztë të lëshuar paraprakisht në ajër shndërrohen në grimca.
Për ta luftuar këtë, OBSH-ja i inkurajoi vendet që t’i rregullojnë emisionet e dëmshme dhe t’i ndalojnë automjetet që e ndotin ajrin. Për jetën e përditshme, OBSH-ja shprehet se njerëzit mund ta ulin ndotjen e ajrit me atë që nuk do të djegin mbeturinat, do t’i riciklojnë, ndërsa transporti me biçikletë të bëhet pjesë e rutinës së tyre të përditshme.