Trajtime të vjetra që nga koha e Jugosllavisë

Me vlerësimin “keq” janë shënuar tentimet për parandalimin e vdekjeve të foshnjave, shkalla e mbijetesës të kancerit, fruthi, tensioni i gjakut, parandalimi i duhanit si dhe vdekjet nga aksidentet. ” Supozohet se disa metoda nga trajtimet e vjetra, të cilat ende janë në përdorim nga koha e Jugosllavisë, e vështirësojnë përmirësimin”, thuhet në raport

 

Delvina KËRLUKU

Shkup, 6 mars – Maqedonia e Veriut me 638 pikë gjendet në vendin e 25-të sipas Indeksit konsumator shëndetësor evropian (EHCI), që paraqet përpjekje për matje dhe radhitje të implementimit të mbrojtjes shëndetësore nga pikëpamja e konsumatorit ose pranuesit të shërbimit. Në raportin e fundit të “Juro helt konsjumer indeks” citohet se Maqedonia e Veriut në vitin 2014 ka qenë “Raketë e vitit”, kur e ndërmori vendin e 16-të me 700 pikë, që ishte kërcim për 11 vende, përkatësisht nga vendi 27 dhe 555 pikë në vitin 2013. Edhe në raportin e fundit potencohet se asnjë vend nuk ka arritur vetëm për një vit të përmirësohet për 11 pozita.

“Fusha ku Maqedonia e Veriut ende duhet të përparojë janë rezultatet nga trajtimi i vërtetë mjekësor. Nuk ka ilaç të shpejtë për këtë, madje edhe lidership shumë të shkëlqyer, me siguri do të nevojiten së paku pesë vjet që të ketë përparim të madh. Supozohet se disa metoda nga trajtimet e vjetra, të cilat ende janë në përdorim nga koha e Jugosllavisë, e vështirësojnë përmirësimin”, thuhet në raport. Vendi ka bërë hap të jashtëzakonshëm në caktimin elektronik të kontrolleve – nga korriku i vitit 2013, çdo mjek amë mund të caktojë kontroll te specialisti në vend në kohë reale, derisa pacienti ulet pranë mjekut dhe e cakton vetëm me disa klikime në kompjuter.

Me këtë në tërësi është eliminuar koha e pritjes, derisa pacienti është i gatshëm të udhëtojë në një distancë të shkurtër (nga pika në pikë në vend duhet të kalohen rreth 20 kilometra me atë që kryeqyteti Shkup gjendet përafërsisht në qendër). Në këtë mënyrë, Maqedonia e Veriut mori rezultate të larta për qasje, veçanërisht në kujdesin ambulator, por ende duhet të punohet kur është në pyetje kujdesi spitalor dhe diagnostika përparuese. Radhitja është bërë në tetë fusha me më shumë kritere. Vlerësimet janë “mirë”, “keq” dhe “neutral”. Me vlerësimin “keq” janë shënuar tentimet për parandalimin e vdekjeve të foshnjave, shkalla e mbijetesës të kancerit, fruthi, tensioni i gjakut, parandalimi i duhanit si dhe vdekjet nga aksidentet.

Shpeshtohen zjarret, policia me apel

Tetovë, 6 mars – Në atarin e fshatit Bogovinë të Tetovës, përgjatë rrugës për në fshatin Novosellë 2, të martën rreth orës 14 e 50 minuta, është përhapur zjarr, ku janë djegur rreth 2 hektarë hapësirë malore me drunj dushku. Me intervenim të zjarrfikësve të Tetovës, zjarri tërësisht është lokalizuar. Të martën rreth orës 14.00, është denoncuar zjarr përskaj rrugës rajonale Tetovë-Jazhincë, në atarin e fshatit Vratnicë. Janë djegur rreth 250 deri 300 metra katrorë kullosë e thatë.

Një zjarr i tillë, gjithashtu është denoncuar më datë 4 mars në ora 16 e 30 minuta, në atarin e fshatit Odër, ku zjarri ka përfshirë hapësirë prej rreth 500 metra katrorë. Të dyja zjarret pas një kohe të caktuar, janë shuar vetvetiu. Për shkak të shpeshtimit të zjarreve, nëpër pyje dhe fusha në rajonin më të gjerë të Pollogut, Sektori i punëve të brendshme Tetovë, përsëri apelon deri tek të gjithë individët të cilët punojnë ose lëvizin nëpër vende të hapura që të mos ndezin zjarre. Kjo, veçanërisht ka të bëjë me bujqit, të cilët në mënyrë intensive janë duke u përgatitur për të mbjellat pranverore, të cilët i pastrojnë dhe djegin mbetjet dhe kashtën nëpër fushat e tyre, kurse zjarri në mënyrë të pakontrolluar zgjerohet në mënyrë të shpejtë, gjegjësisht kur frynë erë. Këshillohen që të kenë kujdes maksimal, gjithashtu edhe ata të cilët punojnë në pyje, dhe alpinistët, për shkak se nevojitet vetëm një shkëndijë e vogël, që të ndizet bari i thatë apo hapësirat me vegjetacion.

Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë edhe një herë ju rikujton se shkaktimi i zjarreve në mënyrë të qëllimshme apo prej pakujdesisë së njeriut, paraqet vepër penale me të cilën janë paraparë dënime rigoroze ligjore, si dënime me para dhe me burg deri në 10 vjet, varësisht nga pasojat përfundimtare ekologjike ose pasojave tjera. (U.H)

Tetova, Kumanova, Manastiri dhe Shkupi në listën e qyteteve më të ndotura në botë

Shkup, 6 mars – Tetova, Kumanova, Manastiri dhe Shkupi u gjenden në listën e qyteteve më të ndotura për vitin 2018, sipas analizës së përpiluar nga organizatat joqeveritare ndërkombëtare ekologjike “Grinpis” dhe “Aj Kju Ear Vizhuell”, grup me seli në Zvicër që globalisht e ndjek ndotjen e ajrit. Në listën e 3000 qyteteve, nga qytetet e Maqedonisë Veriore, Tetova renditet në vendin më të lartë 169-të, Kumanova në 261-të, Manastiri në 280-të dhe Shkupi në vendin 315-të. Nga rajoni qytet më i ndotur është potencuar Zhivinca në Bosnjë e Hercegovinë, e cila gjendet në pozitën 102-të, ndërsa i bëjnë shoqërim edhe tri qytete të Bosnjës: Graçanica në vendin e 137-të, Sarajeva në 240-të dhe Tuzlla në vendin 289-të. Në mesin e 500 qyteteve më të ndotura nga Ballkani Perëndimor në listë sipas ndotjes së ajrit janë edhe Prishtina në vendin e 373-të dhe Sofja e cila është në vendin e 422-të.

Në nivelin botëror qyteti më i ndotur është Nju Delhi – kryeqendra 20-milionëshe e Indisë, ndërsa e ndjekin pas kryeqytetet e Bangladeshit, Dakës dhe Kabulit në Afganistan. Pekingu është i teti në listë. Nga metropolet botërore Londra gjendet në vendin e 48-të, ndërsa Uashingtoni në vendin e 56-të. Sipas analizave, prej gjithsej 30 qyteteve më të ndotura në botë, në Indi gjenden 22. Matjet e “Grinpis” dhe “Aj Kju Ear Vizhell” kanë treguar se 64 për qind prej 3.000 qyteteve në listë i tejkalojnë limitet e rekomanduara të Organizatës Botërore Shëndetësore për ekspozim të grimcave PM 2,5 në nivel vjetor, që lidhen me një numër të madh problemesh shëndetësore tek njerëzit.

Raporti për ndotjen e ajrit në botë për vitin 2018 bazohet në të dhënat publike nga realizimi i  monitorimit siç janë rrjetet qeveritare për monitorim të konfirmuara me matjet e realizuara nga stacionet matëse të “Ear Vizhell” me të cilat operojnë persona privatë ose organizata. OBSH-ja vlerëson se globalisht shtatë milionë njerëz në vjet para kohe vdesin si pasojë e ekspozimit të ndotjes së ajrit, ndërsa Banka Botërore ka llogaritur se çdo vit konsiderohet si humbje e ekonomisë botërore në orët e punës për 225 miliardë dollarë. (Q.A)

Ndotja nuk është problem vetëm i Shkupit dhe Tetovës

Qëllimi i fushatës “Mos injoro! Reago!” është të rritet presioni ndaj autoriteteve në gjetjen e zgjidhjeve për mjedisin jetësor, në të njëjtën kohë të nxitet edhe aktivizimi qytetarë

 

Destan JONUZI

Shkup, 6 mars – Edhe pse qytetarët gjithnjë e më shumë e kuptojnë rëndësinë e mjedisit jetësor, ndërsa institucionet i shohin çështjet ekologjike si aktuale, problemet e mjedisit jetësor nuk zgjidhen në mënyrë strategjike. Përderisa qytetarët kritikojnë dhe diskutojnë kryesisht në rrjetet sociale, institucionet nuk sjellin zgjidhje efikase për një mjedis të pastër jetësor dhe nuk janë transparente në krijimin dhe zbatimin e politikave ekologjike. Për këtë arsye, Instituti për Studime të Komunikimit ka filluar fushatën me interes publik për një mjedis më të pastër jetësor “Mos injoro! Reago!”. Me këtë fushatë do të rritet presioni ndaj autoriteteve për zgjidhje më efikase të problemeve nga mjedisi jetësor dhe institucionet lokale. Nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme, do të prezantohen problemet me të cilat po ballafaqohet komuniteti, do të drejtohen problemet drejt institucioneve përkatëse dhe do të inicohen zgjidhje për një mjedis më të pastër dhe jetë më të shëndetshme.

“Të gjithë meritojmë që të jetojmë jetë në një ambient më të pastër jetësor. Por, që ta arrijmë këtë, duhet që të flasim dhe të jemi të dëgjuar. ‘Mos injoro! Reago!’ është platformë për çdo individ të prekur, na bashkon të gjithë ne, që zëri ynë të dëgjohet. I inkurajojmë të gjithë që janë të shqetësuar për mjedisin jetësor të na bashkangjiten në fushatë, ta ngrenë zërin e tyre dhe të marrin aksion për përmirësimin e kushteve në të cilat jetojmë. Institucionet publike duhet ta kenë të qartë se koha është për ndryshime. Kanë autorizim që të punojnë në drejtim të zgjidhjes së problemeve që na tangojnë të gjithëve dhe nuk kanë arsyetime”, thotë Dejan Andonov, koordinator i fushatës “Mos injoro! Reago!”.

Fushata “Mos injoro! Reago!” do të realizohet gjatë vitit 2019 dhe do të jetë e ndarë në tri shtylla: qytete të qëndrueshme, mjedis i shëndetshëm dhe ndryshime klimatike. Aktivitetet do të realizohen në bashkëpunim me fakultete, shkolla të mesme, organizata civile, iniciativa qytetare, ekspert nga fusha të ndryshme, kreator të mendimit publik dhe media. Profesoresha për urbanizëm Divna Pençiq, e cila është pjesë e grupit të ekspertëve në fushatë, vlerëson se planifikimi urbanistik në shtet është problematik, duke pasur parasysh gjendjen e tanishme kaotike nëpër qytete. “Qytetet patjetër duhet të shikohen si tërësi, sipas principit të qyteteve të qëndrueshme të Kombeve të Bashkuara në Agjendën 2030. Qytetet patjetër duhet që të planifikohen në mënyrë vizionare dhe strategjike dhe në krijimin e politikave për zhvillimin e tyre patjetër se duhet të kyçen edhe qytetarët. Nuk është me rëndësi se ku do të ndërtohen, por si njerëzit do të funksionojnë dhe do ta shfrytëzojnë hapësirën”, thekson profesoresha Pençiq.

Nga ana tjetër, profesori Dejan Mirakovski, ekspert i fushës së ndotjes së ajrit, thotë se në kushte të dendësisë së madhe të popullsisë, infrastrukturës së pa zhvilluar (ujë të ndotur, tubacionet e gazit…) dhe mekanizmat e pamjaftueshëm të kontrollit, grimcat – PM10 dhe PM2.5 po rriten në mënyrë dramatike.

“Ndotja e ajrit nuk është problem vetëm se i Shkupit dhe Tetovës, këtu janë edhe Strumica, Prilepi, Kavadari, thuajse e gjitha lugina e Maqedonisë. Definitivisht, pa një qasje komplekse të zgjidhjes së problemit, masa të shpejta dhe specifike të institucioneve, por edhe një angazhim të përbashkët të të gjithë nesh, nuk do mund të largohemi nga lista e top shteteve me qytetet më të ndotura në botë”, tha Mirakovski. Ekspertja për menaxhimin e energjisë, Ana M. Llazarevska, sugjeron që edhe resurset energjetike të planifikohen në mënyrë strategjike dhe të shfrytëzohen në mënyrë optimale, me qëllim që të zvogëlohet niveli i ndotjes së ajrit dhe të përmirësohet gjendja me mjedisin jetësor.

Nuk këtë fushatë është e kyçur edhe gazeta KOHA dhe 12 media tjera (televizione, radio, media online, gazeta). Në këtë mënyrë, do të informohen qytetarët për të drejtat e tyre dhe ku mund të ankohen, por edhe do të aktivizohen që të ndikojnë mbi autoritetet që të gjenden zgjidhje dhe të jenë të gatshëm në zbatimin e politikave.

Anketa

 

Cilat tema dëshironi të trajtohen në Koha?

Komunat dhe Mjedisi jetësor
Siguria e këmbësorëve dhe çiklistëve
Vallë, a duhet të rriten dënimet për ndotësit
Vallë, a punojnë mirë inspektorët e ekologjisë

KOHA – Rezultatet e anketës të publikuar më 30 janar 2019

73% e lexuesve të Më Afër konsiderojnë se gazetarët duhet të shkruajnë për Kualitetin e shërbimeve shëndetësore, ndërsa në mënyrë të barabartë ju interesojnë temat Mbrojtja e punëtorëve gjatë punës dhe Masat kundër ndotjes 11%, ndërsa për Dhuna në familje kanë votuar 5%. Gjithsej në Anketë kanë votuar 596 votues brenda 26 ditëve.